........

domenica 19 novembre 2017

Na bashkon një det



GRAZIA STELLA ELIA

AGIM MATO DHE DANIELE GIANCANE
“NA BASHKON NJË DET”
 Poetë italianë dhe shqiptarë të jugut

(Marrë nga numri 106 i revistës “La Vallisa”, organ i shoqatës së shkrimtarëve të Barit,  me të njëjtin emër)

            Poetët e “La Vallisas” nuk i kanë për herë të parë takimet dhe bashkëpunimet me poetët e brigjeve të tjera të Adriatikut (Veçanërisht me intelektualët shqiptarë, me të cilët kontaktet e herëshme ngjiten në më shumë se 20 vjet të shkuara) që të çojnë në dokumente të rëndësishme letrare si antologjitë. Pionier në këtë drejtim është Daniele Giancane, që gjithmonë ka synuar t’i zgjerojë horizontet e shoqatës së themeluar prej tij drejt popujve të tjerë, mbi të gjitha gjeografikisht afër Pulies.
            Doli pak kohë më parë nga shtëpia Botuese Tabula Fati e Chietit, volumi antologjik “Një det na bashkon – poetë italianë dhe shqiptarë” nën kujdesin e Agim Matos dhe Daniele Giancanes. Kjo antologji përmban tekste të ndryshme poetike të dymbëdhjetë poetëve italianë të grupit La Vallisa dhe dymbëdhjetë poetëve shqiptarë të Klubit të krijuesve Jonianë.
            Dymbëdhjetë poetët italianë janë: Nikola Accettura, Enrico Bagnato,  Gaetano Bucci, Enrico Castrovilli, Marco I. de Santis, Giulia Poli Disanto, Daniele Giancane, Angela Giannelli,  Renato Greco, Giannio Antonio Palumbo, Anna Santoliquido e Filippo Silvestri.
            Dymbëdhjetë poetët shqiptarë të jugut janë: Irena Gjoni, Niko Kacalidha, Vasil Klironomi, Zimo Krutaj, Bardhyl Maliqi, Dashamir Malo, Agim Mato, Sulejman Mato, Timo Mërkuri, Petrit Ruka, Andrea Zarballa e Ilirian Zhupa.
            Poeti i parë italian, Nicola Accettura, propozon pesë kompozime të shfrave të një origjinaliteti të fortë, realizuar në një unitet midis shkencës dhe poezisë. Shënimet shpjeguese të poshtëvendosura kanë një finalitet praktik, në një lloj përqafimi me muzikalitetin poetik.
            I dyti është Enrico Bagnato, poeti që vepron në fusha të shumta letrare dhe këtu paraqet njëmbëdhjetë poezi, tematika e të cilave shkon nga fshikullimet për mizoritë e Hitlerit tek pikëllimi për Aylanin e vogël, nga “rrugët e qytetit” tek përshkrimi analitik i një “dame” të shkuar në moshë me një hidhërim të skajshëmë nga metamorfoza e padëshiruara që pasqyra mizorisht ja zbulon; nga “automobili i vjetër” i braktisur për të riun, në të shkretën “dhelpër të kuqe ”që si një damë e madhe/ e mbështetur mbi një vig ka vdekur, e palëvizur në trotuar” (e dimë mirë sa i do Enrico kafshët); nga deti me “barkun jeshilkaltër” në konsideratën e qënies pjesë e gjallë e botës “vëlla i të gjithëve dhe i gjithçkaje”.
            Poeti i tretë italian Gaetano Bucci. Vargjet e tij e përqendrojnë vëmendjen mbi kohën dhe rrjedhën e saj të pandalëshme, me “klepsidrën e lënë në harresë”, ndërsa njerëzimi është i shtrënguar në një “prani të përjetëshme”.
            Si të katërtin takojmë Enrico Castrovillin, me poezinë e tij thellësisht analitike, veçanërisht mbi “fjalën” dhe për “fjalët”, që herë herë trembet se nuk e gjen e ndërkohë e gjen, të lidhura me një mbushje autentike të shprehjes poetike.
            Na paralajmëron se aty qëdron forca dhe delikatesa e vargjeve të tij.
            Poeti i pestë italian është Marco I. de Santis, shkrimtar i impenjuar seriozisht në derdhje të ndryshme të skriturës, që kompozon vargje nga thellësia e figurshmërisë filozofike, refleksive dhe meditative mbi problemet e botës, të sëmurë nga “plogështia” në këtë kohë që duket “mosha e përjetëshme e Kainit”.  Poezia civile, që “ngre flamujt e vet kundër marrëzisë së botës”.
            I gjashti është Daniele Giancane, i lindur poet, sepse nga mosha trembëdhjetë vjeçare e sot shkruan poezi. Poeti nga gjithmonë dhe  për gjithmonë i dashuruar me poezinë gjersa të ekzistojë si person, poeti që i bën poetike qeniet e vogla të gjalla, gjërat e vogla dhe kujtimet e pashlyeshme të lidhura me “hallat e shkuara në moshë” që “kur vdesin marrin me vete gjithë një botë...” Të shumtë librat e tij poetikë, studimorë, monograf, të karakterit pedagogjik, narracionit, etj. 
            Poetesha e shtatë: Angela Giannelli. E fuqishme poezia e saj; tercinat dhe kuartinat në një gjuhë që ngjit mirë, që rrjedh në vargje të gjatë, shpesh të mbushur me melankoli.
            Është e njohur pasuria leksikore e saj.
            I teti është Renato Greco, poet prodhimtar dhe elokuent që ka në aktivin e vet një numër me të vërtetë të konsiderueshëm dhe impresionues të veprave letrare. Natyrisht, nuk ka temë që nuk e ka trajtuar në poezinë e tij.
            Poeti i nëntë  italian: Gianni Antonio Palumbo, shkrimtar i mirënjohur, kritik i mprehtë letrar, i impenjuar palodhshmërisht në një punë krijuese dhe analize, i çmuar prej të gjithëve. Me gjurmë të qarta klasike, poezia e tij ngjyroset me një butësi të pastër kur me vargje përkëdhelës i thotë bijës së vet, duke e nxitur të gjejë zbavitjen “me hap vallëzues/për inat të dhimbjes/që duket te buzët.”
            E dhjeta, Giulia Poli Disanto, shkrimtare me prodhim të gjerë letrar, që bie në sy për thellimin e njohur meditues, por edhe për shikimin e saj të kthyer nga bota “me kthjelltësi, me një mençuri të lartë semantike dhe stilistike”,  siç thotë Daniele Giancane.
            Poetesha e njëmbëdhjetë Anna Santoliquido është veprimtare kulturore me famë botërore, që ka publikuar shumë volume me poezi dhe eseistikë, të përkthyera në shumë gjuhë. Personalitet dinamik femëror, e famshme për palodhshmërinë  e saj vepruese.
            I dymbëdhjeti: Filippo Silvestri, inxhinier, poet i fjalës së fortë e të pasionuar, lëviz dhe shtyn përpara motive të thella civile me ndjeshmëri. Dallohet për poezinë e tij të kultivuar dhe metaforike.
            Dymbëdhjetë janë edhe poetët nga Shqipëria e jugut, të pranishëm në antologji. I takojnë siç thashë më sipër shoqatës “Klubi i Krijuesve Jonianë” I drejtuar nga Agim Mato, poet edhe vet ai, të cilit i është dashur të zgjedhë jo pa vështirësi, se kush do të bënte së bashku me të këtë udhëtim vëllazëror përballë dy grupeve të poetëve të jugut.
            “Publikimi i kësaj antologjie, thotë Agim Mato, në mbyllje të tekstit shoqërues të tij, nuk është vetëm një homazh i miqësisë së të dy vendeve, por edhe një kontribut serioz i poetëve të të dy popujve për forcimin e një klime të ndërsjelltë të marrëdhënieve  midis dy brigjeve që lagin detet tanë.”

         Poetesha e parë shqiptare: Irena Gjoni. E bukur poezia e saj, e frymëzuar nga ndjenjat klasike të dashurisë për atdheun, për traditat dhe aromat e tokës së vet.
Emblematik dhe iluziv distiku i saj i vendosur në fund të kopertinës: Nuk paska më anije për sytë/ngelën te i njëjti liman...
Poeti i dytë është Niko Kacalidha. Meriton shumë vëmendje poezia e tij, që mbështetet mbi baza klasike dhe pasurohet me imazhe të ndritshme të natyrës së peizazhit dhe kafshëve.
I treti është Vasil Klironomi, që flet në vargjet e tij për bimë dhe fluturakë me një kreativitet origjinal. Për t’u shënuar është kompozimi Magjistari i  detit, në të cilin poeti- magjistar  realizon mrekullia.
Poeti i katërt shqiptar: Zimo Krutaj. Poezi me nënkuptime dhe metaforike kjo e tij. Shpreh habi dhe mrekullohet para shndërrimeve të natyrës, që i bëjnë të ditur: “Qëndroj i mrekulluar si një  fëmijë që sheh/ për herë të parë/ detin”.
I pesti: Bardhyl Maliqi, që propozon një lloj poemthi referuar babait me tema fshikulluese dhe kritike.
Poeti i gjashtë: Dashamir Malo, poezia e të cilit karakterizohet për melankolinë, nga ajo e një trishtimi, të fëmijërisë së hidhur nga uria, në atë të  gruas së re të ndarë nga jeta, në atë të peshkatarit të plakur (i brishtë si gjethja për fatin njerëzor) që vdes dhe ikën në heshtje.
I shtati Agim Mato, poet me skripturë plot trishtim: një trishtim që lind nga përvojat e hidhura nëpërmjet të cilave është detyruar  të kalojë. Përshkruan vuajtjen e një takse mizore që ka paguar në jetë, me fjalë prej guri që me të vërtet të tmerrojnë. Në disa hapa vargjet e tij janë poezi e lartë, sublime.
I teti: Sulejman Mato. Poemthi i propozuar këndon vetminë e trishtuar të shtatë plakave (reale apo surreale?) vënë në provë nga dhimbja për fëmijët e tyre të ikur e të pakthyer më. Si të luajtura mendsh flasin, të përhumbura, për bijtë e tyre: “Dritë e syve të tyre”, ndërsa jetojnë “pa zemër në gji”. Naracion në vargje të një poezie intensive. 
Poeti i nëntë shqiptar është Timo Mërkuri. Poezia e tij tregon për një hir të veçantë në përshkrimin e njerëzve dhe gjërave; një “trëndafil i bardhë”  që “nusëron”; një shtëpi e vogël në jug/si një lot nën qerpikë”; “guaskat gjatë brigjeve të Jonit” parë si arkivolë të vegjël të bardhë”, pastaj shumë dhimbje: deti është hidhëruar nga lotët e derdhur”.
I dhjeti: Petrit Ruka. Një forcë e jashtëzakonshme ironike karakterizon vargjet e tij, që kanë një natyrë erotike, por jo vulgare. Poezitë e tij lexohen me buzën në gaz, veçanërisht kur flasin për një tradhti të tij hipotetike...gruas së tij me ...vdekjen.
Poeti i njëmbëdhjetë është Andrea Zarballa, i cili dallohet për kreativitetin e tij, për fantazinë që lëshohet pa pengesa në similituda origjinale dhe pluskojnë mbi tema të trajtuara me një lehtësi të këndshme.
Dhe i dymbëdhjeti Ilirian Zhupa, që dallohet për temat surreale, trajtuar me një art të admirueshëm. Duke ju referuar lindjes së tij, thotë: “Atë natë nëna ime ishte më e madhe se unë,/si një pemë në trungun e së cilës shtohen rrathët”
E jashtëzakonshme gjallëria ekspresive, me tingull muzikor.
Ishte vërtetësisht interesant ky udhëtim nëpërmjet skripturës së 24 poetëve. Një det nga bashkon është me të vërtetë një antologji e bukur e vlefshme për të njohur poezinë e shumë shkrimtarëve, secili me tiparet e veta, secili sjellës  i mesazheve umane dhe civile, secili me frymëzimin e vet poetik.
            Kjo antologji vjen me ogurin që deti të vazhdojë të bashkojë në emër të kulturës dhe të poezisë.

                                                                                                            GRAZIA STELLA ELIA

martedì 14 novembre 2017

Juan Karlos Galeano



JUAN KARLOS GALEANO

Përktheu Agim Mato


                Juan Carlos Galeano lindi në vitin 1958 në Florencia të Amazonias Kolumbiane. Në 1983 emigroi në Sh. B. A.,  ku jep leksione për poezinë latinoamerikane dhe kulturën e popujve të Amazonës në Universitetin shtetëror të Floridës. Ka publikuar përmbledhjet poetike “Baraja inicial” 1996, “Amazonia” (2003 dhe 2011), “Sobre las cosas” (2010),  “Historias del viento” (2013) dhe “Yakumama and other Mythical   Beings” (2014 me tekst origjinal dhe përkthimin në anglisht) Është autor i  “Polen y escopetas” (1997) një studim mbi poezinë e “Violencias” në Kolumbi. Ka përkthyer në spanjisht poetë të gjuhës angleze si  Charles Simic, Mark Stand e të tjerë. Nga viti 1995 interesi i tij për narracionin simbolik të peshkatarëve, gjuetarëve dhe banorëve indigjenë të xhunglave e brigjeve e çoi për udhëtime gjatë shumë lumenjve amazonianë. Nga punët në këto terrene kanë lindur antologji të miteve “Cuentos amazonicos” (2005, 2007, 2014) , “Folktales of the Amazon” (2008)  dhe dokumentari “The Trees Have a Mother” (2007)  Poezia e tij me prirje të gjuhës së folur me spunto humoristike dhe penelata surrealiste, ndërton një mitografi personale bazuar mbi kozmovizionin e popujve amazonianë. Më shumë se të pajtojë  kulturat e larta me folklorin, Galeano adopton me edukatë dhe modesti perspektivën indigjene, animiste dhe fantastike dhe e realizon me shikimin e botës së qartë fëmijërore. Në botën e xhunglës të gjitha qeniet të animuara e të paanimuara janë të lidhura me një rrjetë kryqëzimesh, ekuilibri dhe ndërkomunikimi. Duke rimitologjizuar një ambient ku njeriu është pjesë e një fluksi të shumëfishtë i kthen në një raport më të thellë e komunitar me natyrën në dallim me civilizimin dominues që shfrytëzon dhe shkatërron, duke varfëruar universin me gomën e tij fshirëse. Poezitë janë shkëputur nga përmbledhja “Amazonia”

DASHURIA E MALEVE ËSHTË NJË GJË SERIOZE

Malet dashurojnë në çfarëdolloj moshe. Një mal me
miliona vite
dashurohet me një person në të njëzetat.

Një mal i përgjumur pret prej mijëra vitesh një puthje
nga çdokush.

Mali në formë kupe dëshiron që ta puthin vetëm ëngjujt.

Malet që dashurojnë të tjerë male e shprehin thjeshtësisht
ndjenjën,
duke shkëmbyer kolonitë e zogjve.

Duke kthyer kokën mbrapa, një njeri e kupton se një mal
e ka ndjekur.

Mali që ulërinë dashurinë e tij është me të vërtetë një
bishë.

Me vetëm pak oriz dhe ujë çdo ditë, një mal është më
i lartë dhe më i mënçur.

(Malet me lekë dhe me tesha të palara nuk provojnë të
njëjtat ndjenja.)


TRYEZA


Tryeza ëndërron shpesh se është një kafshë pylli.

Por në se do të ishte një kafshë nuk do të ishte një tryezë.

Në se do të ishte një kafshë do të kishte marrë rrugët
si kafshët e tjera
në mbërritje tek motosharrat që çajnë pemë për të rinxjerrë
 prej tyre tryezat.

Në shtëpi çdo mbrëmje vjen një grua
dhe i shkon një leckë të lagur mbi shpinën e saj  si mbi
shpinën e një kafshe.

Me të katër këmbët e saj tryeza mund të kishte ikur nga
 shtëpia.

Por mendon për karriget që e rrethojnë dhe një kafshë nuk
 mund t’i braktisë fëmijët e saj.

Ajo që i pëlqen më tepër një tryeze është që gruaja ta
 gudulisë ndërsa mbledh thërrimet e bukës
të lëna nga fëmijët.


KOLEKSIONISTI


Djali që koleksionon guralecë dhe xixëllonja
            ëndërron planete dhe yje.

Planetet kanë hënat tyre, fshatrat, kafshët dhe njerëzit.
            Ndoshta shtëpinë dhe qenin.

Në dhomën e tij xixëllonjat të mbyllura nëpër shishkëza
            ngjajnë me tufa yjesh në qiell.

Guralecët janë planete historinë e të cilëve djali e harron
gjatë gjithë ditëve në shkollë.




BALONAT



Duke munguar letra për të ndërtuar balona lëshonim për të
 fluturuar dritaret tona.

Dritaret me përparëset e tyre të bardha na tregonin ato që
shihnin.

Por indigjenët që ndiqnin duke fluturuar dritaret tona
            nuk kishin shtëpi apo dritare për të lëshuar të paktën 
edhe një balon.

Ishte e natyrshme që indigjenët të dëshironin që të bënin
të fluturonte diçka.

Në këmbim të peshqve të krimbur, hutave grabitqare që
 fluturonin në trajtë rrethi
u lidhnin një fill në qafë dhe u shërbenin si balona
indigjenëve.


KANOA


Një kanoa që ka lindur një njeri e le në një plazh
dhe vazhdon në rrugën e vet.

Njeriu qan nënën mizore që largohet duke u dhënë remave.

Nëna, nga ana e saj, i bën shenja lamtumire me rema

Njeriu qan si çdo i porsa lindur;
(Edhe sepse duart e tij nuk funksionojnë si rema
për të ndjekur nënën.)

Mamaja nuk mund ta ngushëllojë sepse duhet të lerë të
 tjerë njerëz në të tjerë vende.

Njeriut nuk i ngelet tjetër veçse të qetësohet.

Bën ndonjë hap, sheh rrotull, dhe kujtohet se duart i
 shërbejnë
edhe për të kruar kokën.



VAJZA


Një vajzë që noton në lumë e ndjen veten të dashuruar me
të.

Prindërit do të donin ta martonin me një automobil, më
mirë të kërkonin një tjetër burrë, për ta hequr nga ky lumë.

“Mund të ndodhë që marrëdhënia me lumin të shqetësojë
            dikë tjetër në univers” thonë disa.

Era dhe të tjerë më të famshëm, merakosen; e thonë në
radio,
shfaqen në televizione.

Merakoset dielli që vjen në mëngjes ta përshëndesë me
shportën e thurur me jukë.

Zemërohet një re që kërkon të hyjë nga dritarja e saj
            për ta çuar shumë larg.

Por vajza çan ujërat, askush s’e di për ku, mes krahëve
të lumit të saj.



YJET


Në të gjitha netët, im at dhe unë, të shtrirë në lëndinë,
            shikonim yjet.

“Për çdo gjë që lind në univers shkëlqejnë yjet” më thoshte.

Në të gjitha netët pyesja  yjet në ç’ ditë kishin lindur atje
            kafshët dhe pemët, për t’u festuar ditëlindjet.

(Indigjenët thoshnin se duke vdekur shndërrohemi në
kokuyos[*] dhe pastaj në yje.)


Në të gjitha netët ua kërkoja. Po atyre nuk u interesonte;

shuheshin dhe rindizeshin sikur aty poshtë të festoheshin 
gjithmonë ditëlindjet.


RETË


Im at kishte ardhur të jetonte në Amazonnia për t’u mësuar
indigjenëve
të krijonin gjëegjëza me retë.

Për ta ndihmuar, në të gjitha pasditet, im vëlla dhe unë
vraponim pas reve të zellshëm që t’i zbrisnim poshtë.

Retë dukeshin e zhdukeshin si të ishin mendime.

Pranë shtëpisë sonë indigjenët vihen në rresht
për të kompozuar puzle me retë më të familjarizuara për ta.

Këto re ngjajnë me pemë dhe këto të tjerat u kujtojnë
pirarukuset*

Atje poshtë indigjenët kërkojnë një re për të kompletuar kokën 
e një armadilloje.

“Me ujin e lumit dhe lojërat e qytetit” u shkruan im at
 miqve të tij
“indigjenët tanë dëfrehen dhe mësojnë të mendojnë”

Im vëlla dhe unë preferojmë që retë të bëhen vezë të
rrahura
për t’i ngrënë me qumësht në orën e darkës.


GOMA FSHIRËSE


Njeriu që ka nevojë për hapësirë në tru për gjëra të
rëndësishme
kalon çdo mbrëmje një gomë gjigante në ballë.

Shuan shumë mendime të tokës së tij dhe çdo ditë
zgjohet
me më pak kilometra katrorë kujtimesh.

Prindërit i thonë të ketë kujdes nga shuarjet. Në se i shket
dora
një ditë do t’i fshijë për fare edhe ata..

Njeriu i siguron se është praktikuar shumë tashmë:
shuan vetëm
tokat dhe gjërat pa rëndësi.

U thotë se di të krasitë gjethet nga pemët dhe të lerë pa
prekur shtëpitë dhe njerëzit.



LETICIA


Dielli dhe retë luajnë letrash në mesditë.

Retë kur fitojnë lenë të bien peshq dhe delfinë në rrugët
e Leticias.
( Në se humbin zbresin të theken në diell bashkë me
turistët)

Peshqit bëhen taksistë dhe në të errur shkojnë të flenë
midis yjeve.
Në perdet e shtëpive delfinët u bien kitarave dhe joshin
vajzat.

Zemra e zjarrtë e një reje thotë se nuk mund të konkurrojë
me diellin.
Dehet dhe zhytet e veshur në lumë.

Dielli shfaqet çdo mbrëmje si përtypës zjarri cirku që
udhëton buzë lumit
dhe pastaj lahet bashkë me delfinët dhe vajzat.


KURUPIRA[2]


Me një këmbë që sheh përpara dhe tjetrën pas, Kurupira
ecën nëpër pyll,
duke mbrojtur kafshët dhe thurur gërsheta me palmat
adoleshente.

Gjuetarët i falin cigare Kurupirës që t’u zbulojë sekretet
e tij.

Kurupira thith duhanin dhe nga tymi formohen shtigjet
ku shfaqen kafshë, pemë dhe fruta.

Po njerëzit nuk duhet të gjuajnë të gjitha kafshët, pemët dhe
frutat. 

Kurupira mundet t’i fryjë tymit për të bërë që të zhduken
nga sytë kafshët, pemët dhe frutat.

Mund t’i fryjë gjithë tymit të tij për të bërë që të zhduken
nga sytë shtigjet që të çojnë tek to.

Mundet edhe t’u zbulojë kafshëve sekretet për të gjuajtur
njerëzit.


LOJË
                                                George Auzenne, in memoriam

Vëllezërit, mali dhe deti përdorin lumin që i bashkon si një
litar për të luajtur.

Një ditë detit i hipi në kokë për të lëvizur malin dhe ai u
 përmbys
me gjithë kazanin e tij vullkanik mbi toka, shtëpi dhe
 njerëz.

Kur deti nuk e priste mali tërhoqi drejt vetes lumin
dhe ai mbyti mijëra kafshë e peshkatarë që jetojnë mbi
 brigje.

“Po më e keqe është se edhe lumi i hyri kësaj loje”
thotë një plakë.

Njerëzit i luten universit dhe yjeve t’i mësojnë këtij çifti të
panjerëzishëm sjellje më të mira.

Universi dhe yjet thonë se nuk duan të fusin hundët në
çështjet familjare.


MËSIM


Sa panë flakërimat e para të luftës dhe vrimat nëpër
mure prindërit e mi
vrapuan në pyll.

Për të më shpëtuar më pikturuan me ngjyrat e një papagalli
dhe më çuan të jetoj pranë indigjenëve.

Vëllai im rritej në qytet duke studiuar jetën inferiore të
gurëve dhe fishkëllyer muzikë klasike.

Kur më risollën në shtëpi të mitë lexonin gazeta dhe
dhomat shkëlqenin nga pasqyrat.

Sa për mua isha i lumtur të ndiqja parashikimin e kohës.



 SHTËPITË


Një ditë banorët e Leticias u zgjuan pa shtëpitë e tyre dhe
 vendosën të shkonin për t’i kërkuar.

“Bënte tej mase nxehtë kur dolëm për një xhiro”, thonë
shtëpitë;
ndërsa dhomat e tyre hyjnë e dalin andej këndej nëpër
fusha.

Njerëzit e kuptuan këtë veprim për të çuar fëmijët të lozin
në hapësira të lira.

Po disa shtëpi kanë edhe një lojë të tyre dhe njerëzit
mrekullohen kur shohin shtëpitë të bredhin me 
antenat televizive të hapërdajnë retë.

Pasditeve, për t’u rifreskuar luajmë kush të rrëzojë
për tokë më shumë re.

Përnjëherësh, nga forca për të ndjekur retë, njëra nga
shtëpitë gati i hipi përsipër pronarit të vet.

Atëherë njerëzit u thanë shtëpive tani mjaft më me këtë
lojë,
që të mbledhin dhomat e tyre e të kthehen në fshat.

“Këtu po argëtohemi shumë, po argëtohemi shumë”,
përgjigjen shtëpitë,
ndërsa dhomat e tyre hyjnë e dalin duke lojtar kukamçefti.


PRITJA


Kush pret shikon peizazhin duke pritur
atë që nuk do të vijë.

Në largësi shihet shumë mirë kush nuk do të vijë.
Shquhet në një barkë të vetmuar, në qiell,
midis reve.

Dy pemë shtrijnë degët për të ngritur dollinë e
suksesit të ditës.

Kush pret do të jetë i lumtur në se kokrrizat e diellit
që hyjnë në sallë
do të donin të transformoheshin në atë që do të vijë.

Kush nuk do të vijë kalon me kalin e një mize
pa pyetur se si shkon.

Kush pret do të donte që edhe barka e vetmuar dhe
retë të preokupoheshin.

Nuk do të ishte aspak keq në se pemët e dollisë
të tregonin një lloj interesi.


PEMË


Një njeri i dashuruar me një pemë shkon të bashkëjetojë
  me të para martesës.

“Kështu nuk do të duhet të kërkosh më ujë dhe ushqim”, i
thonë miqtë.
Çdo mbrëmje njeriu kreh flokët e pemës dhe pastaj ulen të 
marrin çaj së bashku me miqtë e tyre, planetet dhe yjet më
të afërt.

“Life” dhe revistat ekologjike tregojnë historinë e tyre të
dashurisë për botën e tërë.

Po një ditë njeriu u lodh së pari gjithmonë të njëjtat fytyra:
            diellin, hënën dhe yjet.

Familjarët, ekologët dhe yjet më të afërt vijnë t’i thonë se
përse nuk dëshiron më të jetojë me pemën.

Njeriu përgjigjet se ka menduar të martohet me një lumë,
apo një re apo diçka tjetër të ndryshme.



SHTRIGAT


Pasagjerët në udhëtimin turistik nga Liverpuli në Iquitos
janë turbulluar
nga prania e dy shtrigave në bord.

“Çfarë bëjnë këto shtriga në bord? Nuk ka shtriga këtu në
Amazonia” ,
surprizohet kapiteni dhe konsultohet me Enciklopedinë
Britanike.

“Kanë dalë nga kështjellat e disa librave që po lexonim”,
rrëfejnë dy fëmijë të trembur.

Çifti nga Anversa qorton fëmijët dhe i kërkon të falur
kapitenit.

Edhe shtrigat marrin qortimin e duhur dhe kapiteni i
urdhëron
të kthehen shpejt në kështjellat e tyre mesjetare.

Po fëmijët i kishin hedhur librat në lumë.

“Nxehtësia dhe lagështia e Amazonias na kanë detyruar të
dalim duke fluturuar nga kështjella”
shpjegojnë me zë të dridhur shtrigat.

Pasagjerët i luten kapitenit që t’i kthejë në Europë.

Kapiteni konsultohet me Agjencinë turistike të Liverpulit
            dhe vendos t’i kthejë mbrapsht,

me konditë që shtrigat ta ndihmojnë për të fshirë kuvertën
e anijes.


QIELLI MUND TË SHNDËRROHET
NË NJË PËRBINDËSH

Midis qenieve të universit, qielli është një nga më të
mëdhenjtë dhe më të mirët.

Një i aftë që të mbrohet nga gjiganti me një sy të vetëm.

Qielli është i dërguari special që asiston në dasmat e të
varfërve dhe të pasurve.
Mund të paraqitet me veshje të ndryshme por arrin
gjithmonë në kohë.

Për shumë qielli është një baule prej nga kërcejnë jashtë
një pafundësi monedhash.

Disa kisha e mbajnë atë si një qengj.

Të dielave prindërit i çojnë fëmijët ku toka bashkohet me
qiellin për të përkëdhelur leshin e reve të saj.

“ E dashura ime, sytë e tu kanë kaltërsinë e qiellit” i thotë
një djalë të vluarës së tij në një kopsht publik.

Shpirtrat, zogjtë dhe retë janë me fat sepse qielli nuk u
kërkon të paguajnë
as edhe një qindarkë.

Çdo herë që një zog  pi ujë shikon qiellin me mirënjohje.

Qielli buzëqesh.

Në se për një arsye qielli do të tërbohet, ai mund të
shndërrohet
në një përbindësh dhe mund të shtrydhet me një gisht të tij.


DUARTROKITJE TË TJERA PËR SHIUN


Asgjë si shiu që bie nuk i bën qeniet e tokës të lumtur e të
afërt me vetveten.

Shumë e ndërtojnë shtëpinë e vet me çati prej llamarine
për të duartrokitur shiun.

Çfarë bën shiu kur nuk bie? Qahet për erën bashkë me
qiellin?
Është i preokupuar të kujdeset për fëmijët
            ose në përgatitjen e darkës?

Zbukurime dhe pasta për shiun.

Pulat dalin nga nën çatia për të ngrënë krimbat e shiut të
ardhura nga qielli.
 I luten perëndisë së shirave.

Në dalje të kishës një çift të  martuarish merr bekimin
e shiut. 
Edhe pse i prish krehjen më të mirë të jetës së saj gruaja
është e lumtur.
Familjarët dhe miqtë duartrokasin.

Edhe toka, një besimtare e vërtetë, ndjehet e bekuar nga çdo
pikë shiu.
Të tjera duartrokitje për shiun.

Ndodh që shiu i entuziazmuar shumë nga duartrokitjet
 nuk pushon
dhe përmbyt fusha dhe qytete.

Kur ndodh kjo toka nuk ndjehet shumë e bekuar


[*] Kokuyos është një koleopter luminishent i gjinisë Pyrophorus, tipik i Amerikës tropikale i ngjashëm me xixëllonjat në kulturën tonë.
* piraukus të njohura edhe si arapaima, një lloj peshku i madh i lumit Amazonia.
[2] Folklori brazilian është i pasur me karaktere legjendare dhe Kurupira është një nga ato kryesore. Sipas legjendës, e thënë kryesisht në brendësi të Brazilit, Kurupira banon në pyjet braziliane. Me shtat të shkurtër, ka flokë të kuqërremtë (ngjyrë zjarri) dhe këmbët e tij janë kthyer prapa. Ky indian i vogël është i fortë dhe shumë i zgjuar. Është mbrojtësi i bimëve dhe kafshëve të pyllit.